Ulet tatimi për pagat mbi 200 mijë lekë, normë e re 32 për qind për ato mbi 700 mijë lekë
Qeveria propozon rritjen e pragut të tatimit 23 për qind në 300 mijë lekë dhe normë të re 32 për qind për pagat më të larta.

Individët me paga mujore bruto mbi 200 mijë lekë pritet të përfitojnë lehtësim të barrës tatimore, sipas ndryshimeve të propozuara në paketën e re fiskale. Qeveria parashikon rritjen e pragut të pagës mbi të cilin zbatohet norma tatimore 23 për qind, nga 200 mijë lekë në 300 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, për pagat bruto mbi 700 mijë lekë propozohet vendosja e një norme të re marxhinale tatimi prej 32 për qind.
Ndryshimet janë përfshirë në projektligjin për ndryshimin e ligjit nr. 29, datë 30.03.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, dhe synojnë rishikimin e strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, propozimi synon të lehtësojë barrën tatimore për shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar, ndërsa rrit tatimin marxhinal për individët me të ardhura më të larta.
Si ndryshon tatimi për pagat nga 200 mijë deri në 700 mijë lekë?
Sipas formulës së propozuar, kufiri i fashës së parë tatimore, ku zbatohet norma 13 për qind, do të rritet nga paga bruto 200 mijë lekë në muaj në 300 mijë lekë në muaj. Në terma vjetorë, baza tatimore për këtë fashë do të rritet nga 2,040,000 lekë në 3,240,000 lekë, pas aplikimit të zbritjes tatimore prej 360 mijë lekësh në vit, sipas nenit 22 të ligjit.
Norma tatimore 23 për qind do të zbatohet për pjesën e të ardhurave që i përket fashës së pagës bruto nga 300,001 lekë deri në 700 mijë lekë në muaj. Kjo korrespondon me një bazë tatimore vjetore nga 3,240,001 lekë deri në 8,040,000 lekë.
Ndryshimi pritet të ulë tatimin për individët që aktualisht kanë paga mbi 200 mijë lekë dhe deri në kufirin e ri prej 300 mijë lekësh, pasi një pjesë më e madhe e të ardhurave të tyre do të tatohet me normën 13 për qind, në vend të normës marxhinale 23 për qind. Lehtësimi i kësaj fashe do të ndikojë gjithashtu në llogaritjen e tatimit për pagat më të larta, sipas strukturës progresive.
Normë e re tatimore 32 për qind për pagat mbi 700 mijë lekë
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është krijimi i një fashe të tretë tatimore për individët me të ardhura më të larta nga punësimi. Për pagat bruto mbi 700 mijë lekë në muaj, ose për bazën tatimore vjetore mbi 8,040,000 lekë, propozohet aplikimi i normës marxhinale prej 32 për qind.
Kjo normë nuk do të zbatohet mbi të gjithë pagën, por vetëm mbi pjesën e bazës tatimore që tejkalon kufirin e përcaktuar për fashën e tretë. Pjesa tjetër e të ardhurave do të vazhdojë të tatohet sipas normave progresive përkatëse prej 13 dhe 23 për qind.
Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, ndryshimet synojnë një shpërndarje më të drejtë dhe më të balancuar të barrës tatimore mbi të ardhurat nga punësimi, duke lehtësuar tatimin për shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar, si dhe duke forcuar progresivitetin e sistemit në përputhje me aftësinë paguese të individëve.
Tre fashat e reja të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi
Projektligji parashikon ndryshimin e pikës 1 të nenit 24, duke përcaktuar tri norma progresive të tatimit mbi të ardhurat e tatueshme nga punësimi. Për bazën tatimore vjetore nga 0 deri në 3,240,000 lekë do të zbatohet norma 13 për qind. Për pjesën e bazës tatimore nga 3,240,001 lekë deri në 8,040,000 lekë do të zbatohet norma 23 për qind, ndërsa për pjesën mbi 8,040,000 lekë në vit do të aplikohet norma 32 për qind.
Pragjet e përcaktuara në projektligj i referohen bazës tatimore vjetore, pas zbritjeve të parashikuara në legjislacion, dhe jo drejtpërdrejt shumës totale të pagës bruto. Për këtë arsye, përllogaritja e tatimit do të vijojë të bëhet sipas formulës progresive dhe zbritjeve tatimore përkatëse.
Paketa fiskale propozon gjithashtu ndryshimin e pikës 3 të nenit 24 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, duke përcaktuar se të ardhurat nga investimi do të tatohen me normën 15 për qind.
Ndryshimet mbeten në fazën e propozimit dhe zbatimi i tyre do të varet nga miratimi përfundimtar i paketës fiskale.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)